Shqipëria hedh një tjetër hap drejt modernizimit dhe përputhjes me standardet e Bashkimit Europian.
Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen me BE-në për transformimin digjital të vendit, me një fond total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë janë grant i drejtpërdrejtë europian.
Programi parashikon investime në shëndetësi digjitale, edukim, siguri kibernetike dhe zgjerimin e infrastrukturës teknologjike. Synimi është digjitalizimi i shërbimeve publike, përmirësimi i aksesit për qytetarët dhe rritja e kapaciteteve në mbrojtjen kibernetike. Marrëveshja konsiderohet si një element kyç në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke forcuar lidhjen mes Shqipërisë dhe Europës edhe në aspektin teknologjik.
MARRËVESHJA
Marrëveshja prej 44 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian është ratifikuar dhe publikuar në Fletoren Zyrtare për programin operacional gjatë periudhës 2024-2027, që ka në fokus ekonominë dhe shoqërinë digjitale në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit “IPA III”. Kostoja totale e përllogaritur e këtij programi është 44 milionë euro dhe kontributi maksimal i Bashkimit Evropian për këtë program është vendosur në shumën 30 milionë euro, ndërsa 14 milionë euro ofrohen si bashkëfinancim i qeverisë shqiptare.
Përgjatë këtyre 3 viteve në vijim, kontributi i Bashkimit Evropian ndahet në 5 milionë e 850 mijë euro për 2025, 7 milionë e 150 mijë euro për 2026 dhe 11 milionë euro për vitin 2027. Instrumenti “IPA III” do të mbështesë digjitalizimin e të dhënave shëndetësore dhe krijimin e sistemeve që mundësojnë aksesin e tyre të sigurt nga qytetarët, duke përfshirë ata vulnerabël. Nëpërmjet aksesit “online” për informacionin e të dhënave të pacientit, do të shmangen testet ose trajtimet e panevojshme dhe do të përshpejtohet ofrimi i trajtimit ose procedurave të shpejta apo urgjente.
Nga ana tjetër, në fushën e edukimit digjital, do të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit deri në vitin 2026, duke mbështetur përmirësimin e zhvillimit profesional, reformën e kurrikulave të orientuara drejt TIK-ut, si dhe trajnimin e mësuesve mbi aftësitë digjitale. Ndërkohë, programi operacional synon të avancojë përpjekjet e vendit për të vijuar më tej procesin e digjitalizimit, e paralelisht do të mbështesë reformat sektoriale dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian. Programi do të ndihmojë nëavancimin e përfshirjes sociale të komuniteteve me të ardhura të ulëta apo ato në zonat rurale. Gjithashtu, në fokus të instrumentit “IPA III” është edhe një studim fizibiliteti për vendosjen e infrastrukturës fikse të internetit me shpejtësi të lartë, që do t’u vijë në ndihmë qendrave shëndetësore dhe arsimore./Gazeta Panorama