“Pekini nuk mund të pranojë humbjen e Rusisë në Ukrainë”- Ministri i Jashtëm kinez takohet me Kaja Kallas: Kjo do lejonte SHBA-në të kthente vëmendjen nga Kina

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i ka deklaruar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, se Pekini nuk mund të pranojë një humbje të Rusisë në luftën ndaj Ukrainës, pasi një zhvillim i tillë do t’i jepte Shteteve të Bashkuara mundësinë të përqendrojnë plotësisht vëmendjen ndaj Kinës.

Deklarata është bërë gjatë një takimi katërorësh të zhvilluar të mërkurën në Bruksel dhe është raportuar nga një zyrtar i informuar mbi diskutimet.

Ky qëndrim, i shprehur në mënyrë private, bie ndesh me pozicionin publik të Kinës, e cila ka deklaruar vazhdimisht se mban neutralitet ndaj konfliktit në Ukrainë. Sipas burimeve diplomatike, deklaratat e Wang Yi nënkuptojnë se Pekini mund të preferojë një luftë të zgjatur në Ukrainë, që të pengojë Uashingtonin të zhvendosë fokusin strategjik tek Kina, rivali kryesor gjeopolitik i SHBA-së.

Takimi me përfaqësuesen e BE-së, Kaja Kallas, përfshiu diskutime të thella dhe të ndërlikuara për tema si siguria kibernetike, pabarazitë tregtare, teknologjitë e rralla, çështja e Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Të premten, gjatë një konference të rregullt për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, komentoi mbi raportimin e gazetës South China Morning Post, duke theksuar se “pozicioni i Kinës për krizën në Ukrainë është objektiv dhe i qëndrueshëm: armëpushim, negociata dhe paqe”.

“Një krizë e zgjatur nuk i shërben interesave të askujt,” tha Mao, duke shtuar se Kina do të vijojë të luajë një rol konstruktiv në drejtim të një zgjidhjeje politike, në përputhje me vullnetin e palëve të përfshira dhe komunitetit ndërkombëtar.

Kujtojmë se disa javë para se Rusia të niste pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, presidenti kinez Xi Jinping shpalli një partneritet “pa kufij” me Moskën, dhe që nga ajo kohë, lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve janë forcuar ndjeshëm.