“Arjan Ndojin donin ta vrisnin me snajper në Lalz”/ Erion Alibe zbardh bisedat në burg: Dërgojini fjalë aty ku i dhëmb më shume

Ashtu siç edhe pritej, Erion Alibej është thirrur të dëshmojë në procesin ndaj atentatit të ishprokurorit të Durrësit, ku përballë tij ishin dy personat e sjellë nga Dubai, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

Alibej teksa ka dhënë fakte dhe detaje për të cilat ka dijeni në lidhje me atë pritë fatale që i mori jetën Andi Malokut dhe plagosi edhe Arjan Ndojin e Aleksandër Lahon, ka tronditur me rrëfimin e tij. Ai i ka thënë gjykatës se në fakt për të eliminuar prokurorin e Durrësit është menduar të përdoret snajper dhe ekzekutimi do të kryhej në zonën e Gjirit të Lalzit. Madje, është kërkuar të gjendet edhe snajperisti, ndërkohë që tjetër fakt tronditës ka qenë episodi i bisedave mes tij dhe Plaurent Dervishajt, i cili për një periudhë jo të vogël kohe u njoh si numri dy i Bandës famëkeqe të Durrësit, e drejtuar nga Lulzim Berisha.

Alibej ka treguar se pas realizimit të atentatit ku u plagos prokurori ka komunikuar me Dervishajn dhe i ka thënë se po përfliteshin për gjurmë dhe prova, ndërsa gjithnjë sipas Alibejt, Dervishaj i ka bërë me dije se ka tentuar të ndërhyjë në laboratorin shkencor për fshirjen e gjurmëve, por i kanë kërkuar 300 mijë euro.

Seanca e djeshme ka vijuar mes tensioneve, sharjeve, fyerjeve dhe edhe kërcënimeve, ndërkohë që është kërkuar largimi i Plaurent Dervishajt nga kafazi, përgjatë kohës që dëshmonte Alibej. Një tjetër fakt interesant i thënë nga dëshmitari i drejtësisë ka të bëjë konkretisht me detajin që sipas tij ka qenë Arjan Ndoj shënjestra e atij atentati dhe jo “Rrumi”, siç është tentuar të devijohet ngjarja që prej asaj dite që ndodhi. I vetmi person që e tha në gjykatë që shënjestra ishte prokurori ishte vetë Ndoj.