EMRAT/ Aksident tragjik në Prizren, makina me targa të Shqipërisë përplaset me kamionin! Ndërron jetë vajza nga Fushë Kruja, dy të plagosur

Xhensila Xixa, një vajzë 32 vjeçare nga Fushë Kruja, ka ndërruar jetë pas një aksidenti të rëndë rrugor që ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në kilometrin e 7-të të autostradës “Ibrahim Rugova”, me drejtim Prizren – Morinë.

Mediat në Kosovë shkruajnë se në aksident janë përfshirë një makinë e llojit Volksëagen Tiguan me targa të Shqipërisë e cila drejtohej nga Ylli Tali, rreth 46 vjeçar, dhe një kamion i tipit Mercedes Benz trailer me targa po ashtu të Shqipërisë, që drejtohej nga Kristal Korbi, rreth 36 vjeç.

Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë në vendngjarje vajza 32 vjeçare Xhensila Xixa, e cila ishte pasagjere në fuoristradën Tiguan. E reja ishte nga Fushë Kruja, ashtu si personat e tjerë në mjet.

Ekipet mjekësore kanë shkuar me urgjencë vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht atje është konfirmuar vdekja e menjëhershme e Xhensilës. Të plagosur kanë mbetur dhe dy persona të tjerë, shoferi Ylli Tali dhe pasagjerja tjetër, Lavdi Xixa.

Ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku po marrin ndihmën e parë dhe janë në kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, shoferi i trajlerit që u përfshi në aksident me makinën e drejtuar nga Ylli Tali, shtetasi 36 vjeçar nga Shqipëria, Kristal Korbi nuk ka pësuar lëndime.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë respektive të Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i Xhensila Xixës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë.