Bologna në “parajsë”, shtyn Milan në “ferr”, dorëzohet edhe Conceicao: Të mbyllim me dinjitet kampionatin

Milan hedh në “ferr” të gjithë sezonin, me djallin që del “duar bosh”, pasi Kupa ishte shansi i fundit për të siguruar një vend në Evropë, në një kur në Serie A duket thuajse e pamundur arritja e këtij objektivi dy javë përpara fundit. Në kryeqytet, në Romë, Milan pësoi një humbje që trondit në themel klubin kuqezi, Bologna i “rrëmbeu” trofeun e Kupës së Italisë pas suksesit 1-0. Për herë të parë pas 51 vitesh, Bologna arrin të fitojë një tjetër trofe, një arritje e jashtëzakonshme kjo për një klub të vogël.

Finalja nisi “zjarr” me dy ekipet që krijuan disa raste të pasta për gol, fillimisht Bologna detyroi portierin Maignan të bënte një mrekulli, ndërsa pak minuta më vonë, Jovic flirtoi me golin. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 53-të, Ndoye tundi rrjetën e Milan duke realizuar një gol me shumë peshë. Conceicao ndërhyri shpejt në formacion me tre zëvendësime të menjëhershme, por këtë herë lëvizjet e tij nuk patën asnjë efekt, nuk arritën të përmbysnin rezultatin ashtu siç kanë bërë shpesh gjatë këtij sezoni. Në fund, festa ishte e gjitha për ekipin e Bologna-s që shijon një trofe pas më shumë se gjysmë shekulli.

“Bologna në parajsë”, ishte titulli kryesor në mediat italiane.

  • foto galeri
  • foto galeri

Nuk e fshehu zhgënjimin për këtë humbje në finale trajneri Conceicaco, por tekniku portugez sheh përpara: “Fituam Superkupën dhe i shkuam deri në fund Kupës së Italisë. Tani do të mundohemi t’i bëjmë një mbyllje me dinjitet kampionatit. Më vjen keq për tifozët, është një zhgënjim i madh për të gjithë. Mund të bënim më shumë, por këto ndeshje vendosen nga detajet”, theksoi Conceicao.