Kandidati i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili ka fituar një mandat deputeti nga listat e mbyllura në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, refuzoi të komentojë mundësinë e dorëzimit të mandatit në favor të Ilir Metës, gjatë protestës së opozitës të mbajtur sot.
Në deklaratat për mediat, Blushi u përpoq të shmangte pyetjet direkte të gazetarëve, duke theksuar vetëm rëndësinë e protestës:
“Nuk kam asnjë koment tjetër veçse të respektojmë këtë protestë për lirinë e votës.”
I pyetur disa herë nëse do të hiqte dorë nga mandati për t’i hapur rrugë Metës të dalë nga qelia dhe të hyjë në Kuvend – një procedurë e vetme e mundshme për të marrë imunitet parlamentar – Blushi nuk dha një përgjigje të qartë.
Ai tha:
“Nuk kam punuar kundër Ilir Metës, duhet t’ia bëni të gjithë atyre që kanë punuar ditë e natë kundër Ilir Metës. Ju e dini se kush fshihet mbrapa, në kohën e duhur do i keni këto përgjigje. Nuk jemi mbledhur sot për këtë çështje, por për lirinë e votës.”
Kujtojmë se Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej 21 tetorit 2024, me vendim të SPAK dhe GJKKO, ndërkohë që për të hyrë në Kuvend dhe për të përfituar statusin e deputetit, duhet që një deputet i listës së mbyllur të dorëzojë mandatin, duke i hapur rrugë renditjes së radhës.