Gara për mandatet e fundit vendos në tension socialistët, ja deputetët që ‘luftojnë’ për karrige

Ndërsa kanë mbetur për t’u numëruar mbi 42 mijë vota të diasporës, gara për votat preferenciale ka hyrë në fazën përfundimtare dhe vetëm katër mandate janë ende në lojë.

Dy prej betejave më të forta zhvillohen në qarkun e Tiranës, brenda listës së Partisë Socialiste.

Në kampin socialist, një prej garave më të ngushta është ajo mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, të cilët ndahen nga vetëm disa dhjetëra vota preferenciale. Njëri prej tyre do të mbetet jashtë Kuvendit. Një tjetër përballje vendimtare është mes deputeteve Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Meqenëse PS në Tiranë do të ketë shtatë mandate përmes listës së hapur, dy prej tyre do t’u takojnë grave për të plotësuar kuotën gjinore. Anila Denaj e ka siguruar tashmë një vend me mbi 8500 vota, ndërsa mandati i dytë pritet të vendoset nga rezultati mes Gjylametit dhe Xhaçkës, të cilat ndahen nga një diferencë e vogël votash.

Shumë emra të njohur të Partisë Socialiste janë në rrezik të mos jenë pjesë e legjislaturës së re. Pandeli Majko, që deri tani ka marrë vetëm 4300 vota, ka mbetur jashtë. Po ashtu edhe figura si Etilda Gjonaj, Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Arben Pëllumbi dhe Plarent Ndreca pritet të mos jenë në Kuvend.

Në qarqe të tjera, gara mbetet e hapur në Fier, ku Dhimitër Kruti, Ramion Kurti dhe Maldrita Bardho ndahen nga një diferencë shumë e ngushtë. Në Vlorë, beteja është mes Vasil Llajos dhe Klevis Kasos, të ndarë me rreth 200 vota, diferencë që mund të ndryshojë pas numërimit të votave të diasporës.