Të papriturat e zgjedhjeve të 11 majit/ Kandidatët më të votuar të PS e PD, emrat e njohur që mbetën jashtë Parlamentit

Gjashtë ditë pas zgjedhjeve parlamentare, rezultatet kanë nxjerrë në pah një tablo të re politike, me surpriza në listën e fituesve dhe humbësve. Shqiptarët votuan për përfaqësuesit e rinj në Kuvend, ku shumë figura të njohura politike nuk arritën të sigurojnë një mandat.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka rezultuar kandidati më i votuar në rang vendi nga listat e hapura, duke marrë mbi 21 mijë vota. Pas tij renditet deputeti socialist Erion Braçe me më shumë se 20 mijë vota. Nga radhët e Partisë Demokratike, më e votuara është Jorida Tabaku me mbi 18 mijë vota, duke u shpallur edhe gruaja më e votuar në rang kombëtar nga lista e votës preferenciale.

Ndërkohë, zgjedhjet kanë sjellë një goditje për disa figura të njohura të politikës. Në listën e Partisë Socialiste, nuk arritën të sigurojnë mandate emra si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Plarent Ndreca, Toni Gogu, Etilda Gjonaj, Etjen Xhafaj, Xhemal Qefalia dhe Olta Xhaçka.

Edhe në kampin demokrat, disa figura të njohura nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re. Jashtë Parlamentit mbetën Dhurata Çupi, Asllan Dogjani, Myslim Murrizi dhe Kreshnik Çollaku. Po ashtu, nuk siguruan mandate as dy drejtuesit e partive opozitare, Ilir Meta (PL) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).

Ndërkohë, surprizë pozitive ishte performanca e disa kandidatëve të rinj të PS-së. Arkend Balla në Durrës dhe Sara Mila në Elbasan u renditën ndër më të votuarit me mbi 18 mijë vota secili, duke përforcuar prurjet e reja në radhët socialiste.