Tetë personat e arrestuar gjatë aksionit të djeshëm nga SPAK në Durrës dhe Tiranë, pritet të dalin nesër para gjykatës së posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”, që kanë kërkuar dy përfaqësuesit e akuzës, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.
Mes të arrestuarve, janë dhe dy persona që ndodheshin në burg, ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Altin Morina dhe Akil Ndërjaku, i arrestuar kohë më parë si pjesë e grupit të Plaurent Dervishaj në Durrës.
Punonjësi i policisë Orgest Molla, avokati Armand Targaj, Ligor Çombashi dhe persona të tjerë të arrestuar, pritet të ballafaqohen nesër me akuzat e ngritura nga prokuroria e posaçme.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme në gjykatën e Tiranës janë paraqitur për tu njohur me masën e sigurisë arrest me burg, me qëllim ekstradimi në Itali, Akil Ndërjaku dhe Ervis Deti.
Me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, Gjykata vendosi “arrest në burg” deri në mbërritjen e dokumentacionit nga Italia.
Pasi të ketë mbëritur materiali hetimor, dy personat do i nënhtrohen procedurave gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre në drejtim të Italisë.
Hetimi i nisur nga prokuroria e Barit në Itali dhe SPAK, ka çuar në lëshimin e 52 urdhër-arresteve në dy vendet përkatëse. Objektiv i këtij hetimi ishte klani “Troplini” në Durrës, ndërsa janë shpallur në kërkim ndërkombëtar Elvi Doçi alias “Visi i Pojës” që njihet si numri dy i këtij klani në Durrës.