“Policia, duart lart, shtrihuni barkas”! Momenti kur policia “mësyn” në restorantin te “Gjiri i Lalzit, “bosat” po hanin krudo

Policia e Durrësit ka publikuar pamjet e momentit të arrestimit të shtatë personave në restorantin te Gjiri i Lalzit.

Në videon e mëposhtme shihet qartë momenti kur forcat operacionale ndërhyjnë të armatosura në restorant, ndërkohë që në sfond dëgjohen urdhrat e oficerëve të cilët kërkojnë që personat e ndodhur në tavolinë të shtrihen në tokë.

“Policia, duart lart dhe barkas”, dëgjohet të thonë efektivët.

Më herët, policia e Durrësit doli me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin policor të zhvilluar një ditë më parë në qytetin bregdetar, ku u bë i mundur arrestimi i 7 personave, tre prej tyre të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Më konkretisht, ditën e djeshme, strukturat e Policisë siguruan informacione se disa persona të shpallur në kërkim, ishin në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin armë zjarri me vete.

Bazuar në këto informacione, efektivët menjëherë ndërhynë në ambientet e restorantit dhe bënë të mundur arrestimin e këtyre shtetasve.

Nga verifikimet paraprake rezultoi se në tavolinën ku po drekonin ndodheshin dhe tre të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, mes tyre Xhevdet Plaku, ose i njohur ndryshe si “Akili”.

U arrestuan:

-Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

-Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

-Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;

-Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;

-O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

– F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

-A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”

Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera. Gjithashtu, mësohet se tre prej të arrestuarve i kishin armët e zjarrit me fishekë në fole gati për qitje.