1 milion € drogë me vete, identifikohet shqiptari që vdiq pas ndjekjes me makinë nga policia italiane

Arbër Meçaj është 38-vjeçari shqiptar që humbi jetën gjatë një ndjekjeje nga policia italiane. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 24 Maj në Nettuno teksa shqiptari ishte korrier droge, pasi iu gjetën në makinë 25 kilogramë kokainë.

Ai nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, por bashkë me një italian 26-vjeçar, po transportonin jo pak, por një milion Euro drogë.

Ata lëviznin me dy makina të ndryshme dhe dyshimet e autoriteteve italiane janë që të kenë planifikuar të ndërronin vendet për të realizuar një lloj stafete gjatë transportit të drogës.

Hetuesit janë të bindur për faktin që italiani nuk gjendej rastësisht aty. sipas mediave italiane, mister mbetet edhe fakti se kush do ta merrte lëndën narkotike në Nettuno.

Policia njoftoi se ndjekja me makinë ndaj Meçajt zgjati për 30 minuta. Ai u fut me një “Fiat 500L” në një rrugë të paasfaltuar për t’iu shmangur efektivëve, por goditi një shtyllë ndriçimi dhe u përmbys. 38-vjeçari humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes ndërsa trupi i tij është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për t’iu nënshtruar autopsisë.

Bashkëpunëtori i tij nuk e zgjati shumë ndjekjen. Ai u kap nga efektivët teksa i jepte një “Smarti”. Italiani është dërguar në paraburgim dhe pritet të njihet me masën e sigurisë. Megjithatë autoritetet nuk presin që ai ta “hapë” gojën.

Në zonën ku ndodhi ngjarja operojnë ‘Ndragheta, por edhe bandat shqiptare dhe nuk përjashtohet mundësia që kokaina t’u përkiste atyre. Për këtë arsye po vijojnë hetimet si për të zbuluar se ku do shkonte lënda narkotike, por nga ana tjetër edhe për dinamikën e aksidentit fatal për shqiptarin./tvklan.al