Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të hënë në aksin Pogradec-Maliq, pranë fshatit Podgorie. Një automjet tip “Nissan”, i drejtuar nga një i ri, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përfunduar brenda një pike karburanti, duke përplasur makinën e furnizimit me lëndë djegëse.
Fatmirësisht, nuk ka pasur shkëndija zjarri dhe është shmangur një shpërthim i mundshëm që mund të kishte sjellë pasoja tragjike për jetën e drejtuesit dhe personave të tjerë pranë vendit të ngjarjes.
Drejtuesi i automjetit ka marrë disa plagë në fytyrë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë masa për të izoluar pikën e karburantit dhe për të mbyllur përkohësisht furnizimin me lëndë djegëse, në pritje të sqarimit të plotë të rrethanave të aksidentit dhe pastrimit të zonës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit ka qenë rezultat i shpejtësisë ose mungesës së vëmendjes në drejtimin e mjetit.