Festa kthehet në ‘luftë guerrile’ në Francë! 2 të vdekur dhe 192 të plagosur pas fitores së PSG-së

Festimet e tifozëve francezë pas fitores 5-0 të Paris Saint-Germain ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve në Mynih u shndërruan në tragjedi. Dy persona ndërruan jetë ndërsa 192 të tjerë u plagosën.

Në Dax, në departamentin e Landes, një djalë 17-vjeçar u godit me thikë për vdekje teksa po festonte. Viktima u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Shkaku i sulmit është ende i panjohur.

Ndërkohë një 20-vjeçare vdiq pasi skuteri me të cilin po udhëtonte u godit nga një makinë që transportonte tifozë, në bregun jugperëndimor të Senës në Paris, shkruan La Repubblica.

Qindra mijëra tifozë u mblodhën në kryeqytetin francez për të parë përballjen e PSG-së me Interin në Mynih, si në “Parc des Princes” dhe rreth qytetit, por kjo u shndërrua në skena që e shtynë Ministrin e Brendshëm Bruno Retailleau të thoshte “barbarët kanë dalë në rrugët e Parisit”.

Pavarësisht thirrjeve të PSG-së dhe lojtarëve të saj për të festuar me qetësi, festimet u përkeqësuan pas përleshjeve të dhunshme dhe zjarreve që shpërthyen nëpër qytet.