Ndeshja Shqipëri – Serbi/ Shakohoxha i kundërvihet FSHF së Dukës: Ja ‘skema’ me biletat

Kombëtarja shqiptare është në përgatitje për ndeshjen e shumëpritur ndaj Serbisë, që do të zhvillohet të shtunën në Arenën Kombëtare në Tiranë, por sipas ish-komentatorit dhe gazetarit sportiv Dritan Shakohoxha, atmosfera që po krijohet nuk është pozitive për kuqezinjtë.

Në një intervistë televizive, Shakohoxha e konsideron lajm të keq mungesën e grupimit “Tifozat Kuq e Zi” në stadium, për shkak se nuk kanë siguruar bileta, si dhe kritikon prezencën e shtuar të forcave të sigurisë, që sipas tij, nuk përputhet me kulturën sportive të tifozërisë shqiptare.

“1500 forca policie thotë njëri, 1300 thotë tjetri, por Shqipëria nuk ka histori huliganizmi, rrëmujash apo që tifozët të prishin ndeshjet e ekipeve të tyre. Siç kanë serbët. Ne në Tiranë po sillemi siç serbët organizojnë ndeshje. Futbolli për ne është festë, familje, pasion dhe dashuri,” – tha Shakohoxha.

Ai gjithashtu kritikoi çmimet e biletave, që variojnë nga 20 euro deri në 500 euro, duke akuzuar FSHF-në për komercializim të Kombëtares:

“Janë shumë shumë, shumë, shumë të shtrenjta. FSHF e sheh Kombëtaren si një mall për t’u shitur nga e cila duhet të përfitojë shumë para.”

Megjithatë, në aspektin sportiv, Shakohoxha është optimist për një fitore ndaj Serbisë, duke theksuar cilësinë e skuadrës aktuale, që sipas tij është më e mira në historinë e Shqipërisë.

“Momentalisht kemi skuadrën më të mirë që kemi patur ndonjëherë në histori. Nuk kemi pasur kurrë futbollistë që luajnë në finalen e Champions League, që ngrejnë trofeun e Europa League. Besoj dhe shpresoj që të jetë edhe skuadra që të arrijë një fitore bindëse kundër Serbisë.”

Për rezultatin, ai parashikon një fitore 1-0 me gol të Mirlind Daku, i cili, sipas tij, do të festojë duke treguar tatuazhin që mban.

Në fund, Shakohoxha vlerëson se kjo ndeshje është vendimtare për ëndrrën e Botërorit, duke theksuar:

“Unë besoj shumë që po fituam të shtunën, jemi me një hap në vendin e dytë që do të thotë ‘play-off’.”