“Sa para do, vendose shifrën që të vrasësh Erionin”, Alibej “zbërthehet” në GJKKO: Si e kuptova që donin të më eliminonin

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej po dëshmon ditën e sotme në GJKKO në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.

I penduari i drejtësisë, tregon se u largua nga Roterdami dhe u kthye në Shqipëri duke u futur klandestin nga Qaftë Bota pasi ishte në kërkim.

Pas kthimit në Shqipëri, Alibej tregon se është takuar me Genc Tafilin dhe Dorian Dulin. Tafili i ka treguar se Duli është takuar me Talo Çelën dhe dy mirditorë.

Gjithashtu Alibej ka rrëfyer edhe momentin kur kuptoi se Dorian Duli e ftonte për të dalë nga shtëpia me qëllimin për ta nxjerrë në pritë dhe për ta vrarë.

Alibej: Vendosa të mos rrija më në Roterdam. U ktheva në Shqipëri. U futa klandestin nga Qafëbota, pasi isha në kërkim. Kam telefonuar Genc Tafilin. E ftova në apartamentin tim. Erdhi bashkë me Dorian Dulin. Kur erdhën, dorëzuan çantat, pasi rrinin të armatosur. Tafili me tregoi se Dorjan Dulit i kanë ardhur për takim Talo me dy mirditorë.

Ikim nga shtëpia. E ngacmova Genc Tafilin të vinte prapë në takim, por nuk më erdhi. Atë ditë i shkruajta Suel Çelës, pasi kur përmendej Kamer Mehja, ai ishte i afërt i tij.

I kërkova Suelit takim me Kamer Mehjen. Sueli me tha, Kameri nuk vjen pasi afër janë katunarët. I referohej Çapjave. Por tha, pse nuk vjen ta bëjmë takimin te tregu.

Tani t’i thoja jo, i bie sikur tregoja frikë, por nga ana tjetër i shkova njëherë te shtëpia në Roterdam. Shkova te tregu bashkë me Andi Zylyfin, kushëririn. Ishte errësirë kur shkova. Në një lokal në treg gjeta Kamer Mehjen, Mario Çelën.

I thashë Kamerit, ka qenë e nevojshme të hedhësh fishekzjarre ditën që u vranë familjarët e mi? Ai më tha që vëllain tim, Endritin, nuk e njihte fare. U sqaruam u shpjeguam, edhe pse nuk me ngrohte shumë, pasi informacionin ma sollën intrigantët Genc Tafili e Dorian Duli.

Më vjen një moment me vlerë për këte situatë, se si identifikova Mikael Qosen, Talo Çelën dhe Altin Ndocin. Një djalë që rrinte te burgu i Peqinit, Ervis Nano (e njihja si Ermali), shkon në Fushë Krujë. Atje takon Flobenc Meçen (unë e njihja si Col shkodrani).

Coli i thotë, kam qenë me Altin Ndocin në burg. Më kërkoi takim me vëllanë e Dorian Dulit. Nuk e di ca kanë diskutuar, por pas takimit ishin të lumtur. Aty mëson që në takim kanë qenë Talo Cela, Mikael Kamami dhe Altin Ndoci. Në takim është kërkuar, sa lekë do, vendose vetë shifrën, sa do që të vrasësh Erionin.

Disa herë Duli më ftonte të dilja nga shtëpia, të qetësohesha. Aty unë kuptova se ata më ftonin për të më nxjerrë në pritë. Informatorin tim më të besuar kam pasur Ardian Çollakun, tani është i ndjerë. Ai ishte pranë kundërshtarëve të mi. Ai ishte kur bëheshin bisedat, kur ndaheshin leket.

Një moment Ardian Çollaku pyet Mikael Qosen, pse nisët këtë luftë. Ai i ka thënë, ka qenë shumë i tmerrshëm Indriti.

Mirë i thote, por do më lidhësh me Hajdar Copjen. Unë Çollakun e kam pajisur me EnchoChat dhe e kam mbajtur me lekë pasi doli nga burgu./vizionplus.tv