CEZ-DIA/ I dënuari i vetëm, Kastriot Ismailaj kërkon pafajësi në Kushtetuese, Meta pritet të gjykohet nga SPAK

Kastriot Ismailaj, i dënuari i vetëm deri më tani në aferën e bujshme CEZ-DIA, vazhdon betejën me drejtësinë edhe pse ka përfunduar së vuajturi dënimin.

Pasi Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e tij një vit më parë, ai tashmë ka depozituar një kërkesë për pafajësi në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit ka vendosur të shqyrtojë çështjen në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, më 19 qershor.

Ismailaj u dënua me 11 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash, ndërsa iu konfiskuan afro 4.5 milionë euro në pesë llogari të ndryshme bankare. Ai u arrestua më 12 maj 2015, pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës që e akuzuan për përfitimin e 6.5 milionë dollarëve nga CEZ-DIA, për një shërbim që nuk e kishte ofruar.

Ndërkohë që Ismailaj kërkon pafajësi, hetimet për këtë aferë kanë avancuar në një tjetër drejtim, duke përfshirë emra të mëdhenj të politikës shqiptare. Ish-presidenti Ilir Meta është marrë i pandehur nga SPAK, i cili në dosjen hetimore e përshkruan Ismailajn si “njeriun e Metës” në këtë skemë të dyshuar korruptive.

Sipas SPAK, historia nis me krijimin e kompanisë “Debt International Advisory” në ishujt “Virgin Island” më 5 korrik 2010, ndërsa dega shqiptare u regjistrua më 4 gusht po atë vit. Më pak se një muaj më pas, më 1 shtator, kompania nënshkroi marrëveshjen me CEZ, çka ka shtuar dyshimet për qëllim të paracaktuar të themelimit të saj.

SPAK evidenton se gjatë kësaj periudhe, Meta dhe Ismailaj kanë komunikuar 115 herë në vetëm 5 muaj, përmes telefonatave apo mesazheve. Madje, Meta e përfshinte Ismailajn në mbledhjet e CEZ në Pragë dhe në forume si Këshilli Mbikëqyrës i CEZ-DIA dhe ai i OSHEE-së, edhe pse ky i fundit nuk kishte asnjë funksion zyrtar.

Prokuroria e Posaçme thekson se Ilir Meta kishte si objektiv përfitimin e 10 milionë eurove nga marrëveshja CEZ-DIA, dhe për këtë shfrytëzoi pozitat politike dhe ndikimin institucional për të avancuar interesat e tij përmes Ismailajt.

Tashmë, ndërsa Ismailaj pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pafajësi, SPAK pritet të çojë për gjykim çështjen kundër Ilir Metës, duke e thelluar më tej hetimin mbi një nga skandalet më të përfolura të tranzicionit energjetik në Shqipëri.