Një 16-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur me thikë në kraharor mbrëmjen e së shtunës në Vicenza, pranë qendrës historike të qytetit italian.
I riu ndodhet aktualisht i shtruar në gjendje të rëndë në repartin e terapisë intensive pediatrike të spitalit lokal, megjithatë sipas burimeve të para, jeta e tij nuk është në rrezik.
Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të jetë kryer nga një tjetër adoleshent, ndoshta bashkëmoshatar i viktimës. Motivet mbeten ende të paqarta. Një nga pistat kryesore të hetuesve është tentativa për një grabitje që degjeneroi në dhunë, por nuk përjashtohen as skenarë të tjerë.
Ngjarja ndodhi në via Cattaneo, një zonë e populluar dhe e frekuentuar, për shkak të një parkimi të madh aty pranë. Kalimtarë të rastit dhanë alarmin për ngjarjen dhe thirrën ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje mbërriti menjëherë ambulanca e shërbimit emergjent Suem 118, ku mjekët i dhanë ndihmën e parë të plagosurit, për ta transportuar më pas me urgjencë në spital.
Policia është në pritje të dëshmisë së adoleshentit sapo ai të jetë në gjendje të flasë, me shpresën për të ndriçuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.