Siguria në plazhe, policia: Bllokohen 7 Jet Ski dhe 34 gomone e skafe në Sarandë

Policia ka bllokuar 7 Jet Ski dhe 34 gomone e skafe nga Ksamili në Sarandë.

Sipas asaj që njoftojnë uniformat blu nga 132 mjete lundruese të kontrolluara gjatë ditëve të fundit, nga Ksamili në Sarandë, 41 rezultuan në paligjshmëri.

vDisa nga shkeljet janë, shkelje e perimetrit të sigurisë, tejkalim të numrit të personave që lejohen në bord, ushtrim të aktivitetit pa licencë, mosregjistrim të pronësisë mbi mjetin lundrues si dhe për për mungesë të dokumentacionit në bord.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë intensivisht kontrollet nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, në të gjithë vijën bregdetare të qarkut Vlorë, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit , për verifikimin e dokumentacionit dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Nga 132 mjete lundruese të kontrolluara gjatë ditëve të fundit, nga Ksamili në Sarandë, 41 rezultuan në paligjshmëri.

Bllokohen 41 mjete lundruese (7 Jet Ski, 34 gomone dhe skafe).

Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan për shkeljet si vijojnë:

•3 për shkelje të perimetrit të sigurisë – masa administrative 100 000 lekë secili;

•2 për tejkalim të numrit të personave që lejohen në bord – masa administrative 30 000 lekë secili;

•1 për ushtrim të aktivitetit pa licencë – masa administrative 100 000 lekë;

•1 për mosregjistrim të pronësisë mbi mjetin lundrues – masa administrative 20 000 lekë;

•34 për mungesë të dokumentacionit në bord – masa administrative 10 000 lekë secili.

Policia Kufitare e Vlorës apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, për respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, në të gjithë vijën bregdetare.