Sekretari i Përgjithshëm e NATO-s, Mark Rutte ka reaguar ditën e sotme pas gjendjes së jashtëzakonshme në Iran, situatë kjo e ardhur pas bombardimit masiv të programit bërthamor të Iranit nga Izraeli.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, Rutte vuri në dukje përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, ndërsa bëri thirrje për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ndër të tjera, Rutte i bëri thirrje të gjithë shteteve anëtare, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara për angazhim të plotë diplomatik në negociata me qëllim uljen e nivelit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.
“Ky ishte një veprim i njëanshëm nga Izraeli. Kështu që mendoj se është thelbësore për shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që të punojnë, ndërsa flasim, për të ulur tensionet. E di që ata po e bëjnë këtë”, tha Mark Rutte.
Sakaq, Mark Rutte, u shpreh se nuk ka vend për panik dhe se nuk jemi në prag të një lufte bërthamore.
“Jo, nuk jemi afër.” Aleatët e NATO-s janë “shumë të përfshirë për t’u siguruar që konflikti të çtensionohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Sulmet izraelite filluan rreth orës 3 të mëngjesit sipas orës lokale duke shënjestruar objekte ushtarake dhe bërthamore, si dhe zona banimi. Ushtria izraelite konfirmoi se gjithsej 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulm, duke hedhur 330 municione drejt Iranit.