Një raport i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) ka ngritur alarmin mbi zhvillimet në programin bërthamor të Iranit, në një moment kur situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj objektivave iraniane.
Sipas raportit të publikuar më 12 qershor, Irani ka grumbulluar rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, që përbën një hap teknikisht të avancuar drejt prodhimit të armëve bërthamore. Megjithatë, AIEA thekson se “nuk ka prova që Irani po ndërton një bombë atomike”.
Pavarësisht kësaj, alarmi politik është ndezur. Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë pas publikimit të raportit, duke e përshkruar Iranin si “shumë pranë bombës”, edhe pse shërbimet sekrete amerikane, në një raport të marsit 2025, vlerësojnë se Irani është të paktën tre vite larg ndërtimit të një arme bërthamore funksionale.
Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm më 13 qershor, kur Izraeli kreu një seri sulmesh ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar ato si “akt vetëmbrojtjeje përballë një kërcënimi ekzistencial”.
Teherani reagoi menjëherë, duke akuzuar AIEA se ka luajtur një rol nxitës në krijimin e një “casus belli” një arsye për luftë duke i dhënë Izraelit justifikim për veprim ushtarak.
Kjo situatë ka sjellë në mendje për shumë analistë kujtimet e vitit 2003, kur pretendimet për armë të shkatërrimit në masë në Irak shërbyen si bazë për pushtimin e vendit. Paralajmërimet për “bombën e Iranit” nuk janë të reja. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar për dekada për rrezikun bërthamor të Iranit, shpesh duke përmendur afate që nuk janë realizuar kurrë.
Megjithatë, retorika mbetet e fuqishme dhe ndikimi gjeopolitik i këtyre zhvillimeve është i ndjeshëm. Ndërsa diplomacia ndërkombëtare kërkon të shmangë një konflikt të ri në rajon, raporti i AIEA ka rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje që ka qenë burim tensionesh për më shumë se dy dekada.