U ekstraduan nga Dubai, jepet masa e sigurise për 3 pjestarët e grupit të Talo Çelës

Në seancën e mbajtur këtë të shtunë, GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për tre persona të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Ado Xhika (i njohur edhe si Ado Cërriku ose Elkier Cërriku), Ervis Daka dhe Maksim Koçi.

Të tre dyshohen për përfshirje në veprat penale “vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, Ervis Daka ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë. Ai po ashtu kishte rol informator në tentativën e vrasjes së shtetasit Kei Piu, duke ndjekur lëvizjet e tij.

Ndërsa Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave dhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy të tjerëve. Ado Xhika akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, si pjesë e grupit kriminal, për sulmin me snajper ndaj Ardian Çapjas, i cili mbijetoi këtij sulmi.

Të tre të ekstraduarit, për të cilët është caktuar masa “arrest në burg”, hetohen në lidhje me aktivitetin kriminal të grupit të Talo Çelës.

LEXONI GJITHASHTU: