Konkurrentja e “She’s On Top”, Arta Marku, ka rrëfyer periudhën e saj më të vështirë në jetë. Teksa tregonte se fëmijëria e saj ka qenë shumë e bukur, 22-vjeçarja shprehet se gjithçka ndryshoi në adoleshencë kur babai i saj bëri aksident.
Modelja rrëfen se Spitali Ushtarak ka qenë shtëpia e saj e dytë, e gjithë familjes së saj.
“5 vite kanë qenë shumë të vështira, ka qëndruar goxha në koma. Faleminderit Zotit, mrekullia e tij ka qenë që nuk ka dëmtuar pjesën e shtyllës kurrizore. Çdo kockë e tij është e thyer dhe është gjithë hekura e vida”, rrëfeu e reja.
Marku ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë:
“Duajini prindërit sa i keni, vlerësojeni, mos u mërzisni me ata kur iu kërkojnë një përqafim nga hiçi, nëse iu thonë hajde më puth pak ose më përqafo se më ka marrë malli, thjesht mos u ndjeni të lodhur, mos e bëni kurrë”.
Rrëfimi i konkurrentes së “She’s On Top”:
Unë jam Arta Marku, jam 22 vjeç. Do e nis me fëmijërinë time që ka qenë shumë e bukur. Sado ka gjëra në jetë që nuk mund të të plotësohen të gjitha, por ka qenë e bukur dhe e plotësuar se kryesisht kam një familje shumë të mirë, të dashur, mbështetëse. Jam shumë krenare për të dy prindërit, për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që na kanë dhënë. Jam shumë krenare dhe për motrën e vëllain që i kam rritur vetë me duart e mia.
Sapo filloi adoleshenca, babai im bëri aksident. Ajo ka qenë periudha më e vështirë e jetës. Gjithçka ndryshoi nga ajo kohë. Kishim nevojë për mbështetje, për fuqi. Ka kaluar shumë vite nëpër spitale. Kemi fjetur jashtë në spital, në barë, kudo. Spitali Ushtarak ka qenë shtëpia ime e dytë, e gjithë familjes tonë. Dëgjoja që thonin ‘pse nuk vishen me të zeza’, po si mund të vishesh me të zeza kur ti pret që të bëhet më mirë dhe as nuk e mendoja në botë, e as nuk më ka shkuar në mendje në asnjë moment që mund ta humbja, edhe pse gjendja e tij ishte shumë kritike.
5 vite kanë qenë shumë të vështira, ka qëndruar goxha në koma. Faleminderit Zotit, mrekullia e tij ka qenë që nuk ka dëmtuar pjesën e shtyllës kurrizore. Çdo kockë e tij është e thyer dhe është gjithë hekura e vida. Kur e kam parë për herë të parë pasi kishte bërë aksidentin, pas shumë kohësh, e kam parë të mbuluar me fasho nga koka te këmbët. Kur kam parë babin që lotoi sapo na pa, ka qenë super e dhimbshme.
E di që i ka thënë mamit ‘nuk ka problem nëse nuk eci kurrë, edhe sikur të jem në një dhomë shumë të vogël, vetëm të jem gjallë e të shikoj fëmijët çdo ditë’.