Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për dosjen penale të njohur si “Metamorfoza 2”, duke kërkuar një total prej 69 vite burg për gjashtë të pandehur, përfshirë ish-shefin e krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni.
Të akuzuarit përballen me akuza të rënda, përfshirë sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes së vëllezërve Edmond dhe Arben Nela, si dhe për trafikim ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Bashkimit Europian.
Në rast dënimi, të pandehurit pritet të përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar që kanë kërkuar.
Pretenca e SPAK:
Ismail Zeneli: 15 vite burg / 10 vite me gjykim të shkurtuar
Dedan Gjoni: 13 vite burg / 8 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar
Bujar Gërmizi: 10 vite burg / 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar
Adrian Cenaj: 7 vite burg / 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar
Besmir Murtati: 12 vite burg / 8 vite me gjykim të shkurtuar
Albert Prenga: 12 vite burg / 8 vite me gjykim të shkurtuar
Më herët, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli moskompetencën për çështjen penale ndaj ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe ish-zyrtares së Interpolit, Jonida Babameto, duke ia kaluar gjykimit Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve në dosjen “Metamorfoza 2” vijon, ndërsa pritet vendimi final nga gjykata në javët në vijim.