Bota e kinemasë italiane ka humbur një nga figurat më ikonike të saj: Alvaro Vitali, aktori dhe komediani i njohur për rolin legjendar të Pierinos, ka ndërruar jetë në Romë, në moshën 75-vjeçare.
I lindur më 3 shkurt 1950, Vitali ishte shtruar në spital dy javë më parë për shkak të bronkopneumonisë së përsëritur, siç konfirmoi ish-bashkëshortja e tij, këngëtarja Stefania Corona.
I zbuluar nga Federico Fellini, Vitali debutoi në vitin 1969 me një rol të vogël në Fellini Satyricon dhe më pas u shfaq në disa prej filmave më të famshëm të mjeshtrit italian, si I Clowns, Roma dhe Amarcord.
Por ishte humori i tij karakteristik, pamja e paharrueshme dhe energjia shpërthyese që e kthyen në mbretin e komedive erotike italiane të viteve ’70 dhe ’80, duke luajtur në mbi 150 filma, ku roli i Pierino mbeti më i dashuri për publikun.
Me rënien e këtij zhanri, ai u tërhoq nga skena për disa kohë, por u rikthye në televizion me emisionin Striscia la Notizia dhe në vitin 2006 mori pjesë në reality-show-n La Fattoria, të cilin e la për shkak të problemeve me astmën.
Vetëm pak ditë më parë, emri i tij ishte rikthyer në vëmendje për një takim të shumëpërfolur me ish-gruan e tij, por fatkeqësisht, kjo do të mbetet një nga daljet e tij të fundit publike.