Plas skandali në Hipotekën e Devollit, Kadastra regjistron pasurinë e qytetarit në emër të shtetit pa bazë ligjore, si ia tjetërsuan pronën në shkelje të vendimeve gjyqësore
Hipoteka (Kadastra) e Devollit përfshihet në një skandal të madh grabitjeje prone. Një qytetar nga Devolli, Vangjel Damo, ka kontaktuar ekskluzivisht gazetën “SOT” për të denoncuar një skandal të rëndë në Hipotekën dhe Kadastrën e Devollit, ku pronat e tij të ligjshme janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme dhe regjistruar në emër të shtetit, duke shkelur me rëndë ligjet dhe vendimet gjyqësore. Sipas denoncimit të qytetarit, Hipoteka e Devollit ka ndarë dhe regjistruar sipërfaqe të konsiderueshme prone në mënyrë arbitrare, duke ia kaluar shtetit pronën që prej vitesh i përkiste familjes së tij.
Ky veprim përbën shkelje flagrante të VKM-së nr. 827, datë 30/09/2020, dhe aktit gjyqësor të njohur nga rrethi Korçë. Në denoncimin e tij, Damo tregon se Kadastra nuk ka zbatuar asnjë procedurë të saktë kadastrale dhe ka dhënë vendim legalizimi në emër të një personi pa lidhje ligjore me pronarët e mëparshëm, duke i përjashtuar në mënyrë arbitrare familjarët e tij dhe duke i grabitur pasurinë. Drejtoria Vendore Korçë–Devoll–Kolonjë dhe drejtuesja Eni Polena mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë situatë, pasi kanë regjistruar 355 m² të pronës 9/72 në emër të shtetit dhe vetëm pjesën tjetër në emër të një pale të tretë, në kundërshtim me dokumentacionin zyrtar dhe ligjin.
Gazeta “SOT” i bën thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet për këtë aferë korruptive, e cila rrezikon jo vetëm pronën e qytetarit, por edhe besimin në sistemin e drejtësisë dhe administratës së pronës në Shqipëri. Ky rast tregon sesi ndërhyrjet dhe manipulimet në Hipotekë dhe Kadastrën Devoll përdoren për të përvetësuar pronat e qytetarëve në mënyrë të paligjshme, duke nxitur një krizë serioze të besimit në institucionet shtetërore. Ndërkohë Vangjel Damo paralajmëron se do të vazhdojë betejën ligjore për të mbrojtur të drejtën e tij dhe kërkon transparencë të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve. Nga ana tjetër, gazeta “SOT” premton se do të ndjekë ngjarjen dhe do të sjellë çdo informacion të ri për lexuesit dhe drejtësinë