Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj trajtimit të ish-Presidentit Ilir Meta në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja”, duke e cilësuar situatën si represion politik dhe shkelje të të drejtave themelore të të paraburgosurve.
Blushi denoncoi se Metës i është ndaluar e drejta për të komunikuar me avokatin Dylejman Karaj, pjesë e Studios Ligjore Cakrani, si dhe i është kufizuar kontakti me familjarët, deputetët dhe eurodeputetët. Ai shtoi se Meta nuk ka mundur të zhvillojë një konferencë telefonike me gazetarët për shkak të një “black out”-i të plotë të telefonatave në IEPV “Jordan Misja”, masë e cila sipas tij ka prekur edhe të paraburgosurit e tjerë.
Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Qëndrimet e tij nuk kanë ndryshuar, Kosova vazhdon të mbetet në krizë
“U kërkojmë ndjesë familjeve të të paraburgosurve që nuk kanë komunikuar dot me të afërmit për shkak të këtij izolimi të padrejtë”, u shpreh Blushi, duke shtuar se këto masa tregojnë “tmerrin e regjimit të Ramaduros nga të vërtetat e Ilir Metës”.
Ai bëri gjithashtu publik një relacion të ri të SPAK, ku sipas tij, “nuk gjendet asnjë fakt apo akt penal ndaj Presidentit Meta”, duke e quajtur situatën si “farsën e shekullit” që do të çmontohet si në Tiranë, ashtu edhe në Strasburg.
Blushi akuzoi se z. Meta po mbahet në “izolim ekstrem pa fakte dhe prova penale”, ndërsa theksoi se represioni është përshkallëzuar veçanërisht pas bisedës telefonike që Meta zhvilloi me gazetaren Beti Njuma.