Ekuadori jep alarmin, policia dhe drejtësia shqiptare në gjunjë para Trifonit të “Bana King”!

Ndonëse reforma në drejtësi u bë për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, në fakt jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por ka nga ata që nuk pyesin për ligj e rregulla dhe drejtësia rri e vështron

Rasti më i pastër është ai i Trifon Muratajt, trafikantit të ‘Bana King’, i cili nuk ka arritur as edhe një orë të përballet me drejtësinë. Ndonëse kompania e tij është kampione për trafikun e kokainës, policia, prokuroria dhe gjykata janë në gjunjë para tij.

Dje mediat ekuadoriane dhanë alarmin se si kompania “Zico SHPK”, pas së cilës fshihet ‘Bana King’, është ndër kompanitë më të mëdha në atë vend që merren me trafik kokaine. Duke u fshehur pas tregtisë së bananeve, raportojnë mediat ekuadoriane, kjo kompani ka dërguar në Shqipëri dhe më pas në Europë tonelata drogë.

“Figura e Trifon Murataj është veçanërisht përfaqësuese. Ky biznesmen, i lidhur me Bana King LLC në SHBA dhe Zico Sha në Shqipëri, ka qenë subjekt i një urdhri arresti në vendin e tij pas sekuestrimit të kokainës në një kontejner që vinte nga Puerto Bolívar, Ekuador”, thuhet në raportin e medias ekuadoriane.

Megjithatë, siç thekson C4ADS, Murataj u shfaq sërish në regjistrat e kompanisë në gusht 2023 dhe dyshohet se ka vepruar edhe nga New Jersey, ku zotëron prona dhe biznese të tjera, përfshirë Vision 22 LLC. Aktiviteti i tij tregon për një rrjet që kombinon legalitetin e dukshëm, qëndrimin ndërkombëtar dhe tregtinë logjistike globale, të gjitha brenda të njëjtit sistem.

Por kur Murataj është bërë problem edhe në Ekuador, në Shqipëri rrinë dhe e vështrojnë. Për vite me radhë prokuroria mbyllte sytë ndaj tij, pasi edhe pse kapeshin tonelata kokainë, nuk kishte urdhër arresti. Pas shumë përpjekjesh më në fund u bë edhe shpallja e tij në kërkim, por e gjitha ishte flluskë sapuni.

Në datën 4 nëntor 2022, gjatë operacionit “Again” ndaj Muratajt u firmos një mandat “arresti me burg”. Ai u shpall në kërkim, por nuk u kap kurrë. Por pavarësisht kësaj, në dhjetor 2024, gjykata ia lehtësoi masën, duke e lënë në detyrim paraqitje.

Ndërkohë, në shkurt të këtij viti ndodhi një aksident te kontejnerët e Bana King në Portin e Durrësit, ku një prej punonjësve dëmtoi syrin. Ngjarja u tentua të fshihej dhe u shpall në kërkim Trifon Murataj. Sërish policia nuk arrin ta gjejë bosin e kokainës. Pra duket sikur të gjithë janë blerë prej tij dhe askush nuk guxon të merret me të. /Pamfleti