FSHF platformë për të shpëtuar klubet, 3 mln euro duke nisur nga viti 2026

Adriatik BALLA

Për dy ditë me radhë FSHF zhvilloi asamblenë e zakonshme vjetore, e në vijim të saj edhe mbledhjen e Komitetit të saj Drejtues, ku mori disa vendime të rëndësishme. Natyrisht, vendimi që pritej për ndryshimin e formulës së garës në Superiore nuk ndodhi. Ndërkohë, ka një vendim të rëndësishëm për rritjen e cilësisë në kampionat, pasi FSHF ndërhyn me një ndihmesë financiare të rëndësishme për të mbajtur “gjallë” klubet. Nga ana tjetër, lojtarët e Kombëtares vijojnë të paraqiten mirë me ekipet e tyre e ku padyshim Kristjan Asllani i bën tifozët krenarë me paraqitjet e tij për Interin. Ai po ia merr pak nga pak vendin mesfushorit të njohur turk, Hakan Çalhanoglu.

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit profesionist në vend, duke vendosur për një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare për klubet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi. “Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble. Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishme për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike.

Asllani bën krenar Shqipërinë me paraqitjet e tij tek Interi

Kristjan Asllani ishte sërish titullar në radhët e Interit në fitoren 2-0 ndaj River Plejt, duke konfirmuar besimin e stafit teknik në mesfushorin shqiptar. Ai ka qenë titullar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve dhe ka dhënë një tjetër paraqitje të qëndrueshme, duke rrezikuar me një goditje nga jashtë zonës në pjesën e parë të sfidës. Me këtë fitore, Interi siguroi kalimin në fazën tjetër të turneut veror, dhe Asllani nuk e fshehu kënaqësinë për këtë arritje. “Objektivi ynë ishte që të mos pësonim gol dhe në momentin që mbyllëm ndeshjen pa pësuar, them se ia kemi arritur qëllimit. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por kjo sfidë u kthye në një betejë. Ishte një ndeshje shumë e ngarkuar. Në fillim ishim pak në vështirësi, por më pas gjithçka u zgjidh dhe ne arritëm të dominojmë. Jemi të lumtur që vazhdojmë më tej”, tha mesfushori i Kombëtares shqiptare pas ndeshjes. Forma e mirë që po kalon Asllani dhe aktivizimi i rregullt në radhët e zikaltërve, janë sinjale pozitive jo vetëm për të ardhmen e tij tek Interi, por edhe për Kombëtaren shqiptare që llogarit shumë te potenciali i tij në mesin e fushës.

Promoted Content