Kalimtarët në rrezik/ Palma bie në mes të rrugës në bulevardin “Epidamn” në Durrës

Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në bulevardin “Epidamn” në Durrës, ku një palmë është rrëzuar papritur në mes të rrugës, duke rrezikuar seriozisht kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që lëviznin në zonë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Ngjarja shkaktoi bllokim të përkohshëm të trafikut, ndërsa forcat e policisë ndodhen në vendngjarje për të menaxhuar qarkullimin dhe për të siguruar zonën deri në largimin e palmës nga autoritetet përkatëse.

Sipas banorëve dhe dëshmitarëve, rrëzimi i pemëve të tilla nuk është hera e parë që ndodh në këtë bulevard. Ngjarje të ngjashme janë shënuar edhe më herët, jo vetëm në bulevardin “Epidamn”, por edhe në zona të tjera të qytetit bregdetar.

Banorët kërkojnë që të kryhet një kontroll më i rreptë dhe i rregullt i gjendjes së pemëve dekorative në rrugët e qytetit, për të shmangur rreziqe të tilla për jetën dhe sigurinë publike.