Evropa Jugore po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila ka përfshirë Francën, Spanjën, Italinë dhe Portugalinë, duke shkaktuar temperatura ekstreme dhe rritje të rrezikut për zjarre masive.
Në Francë, temperaturat kanë arritur deri në 38°C dhe pritet të shkojnë deri në 40°C në disa zona pranë Mesdheut. Autoritetet kanë shpallur alarm portokalli në disa rajone dhe kanë paralajmëruar netë shumë të nxehta, ku termometri nuk pritet të zbresë nën 20°C. Bashkia e Marsejës ka hapur falas pishinat publike dhe ka ofruar ambiente të ftohta për qytetarët, ndërsa në Nicë po shpërndahen ventilatorë për shkollat dhe të moshuarit që jetojnë vetëm.
Në Itali, 17 qytete janë vendosur në alarm të kuq, përfshirë Milano, Bologna, Torino, Napoli dhe Palermo, me temperatura që shkojnë deri në 39°C. Të dielën, numri i qyteteve në alarm pritet të arrijë në 21. Rajone si Liguria dhe Sicilia kanë ndaluar punën në ambiente të jashtme gjatë orëve të pikut.
Në Spanjë, disa rajone janë në alarm portokalli, pasi temperaturat mund të arrijnë deri në 42°C, veçanërisht në jugperëndim dhe verilindje të vendit. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo mund të jetë vala e parë zyrtare e të nxehtit për këtë verë.
Në Portugali, dy të tretat e vendit do të futen nesër në alarm portokalli. Në Lisbonë priten temperatura deri në 42°C, ndërsa autoritetet kanë dhënë paralajmërime për rrezik të lartë zjarresh.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit pritet të zgjasë të paktën deri të martën, me autoritetet në të gjithë rajonin që bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.