Ngjarje e rëndë në Durrës/ Një person humb jetën në det, pushuesit nxjerrin trupin e pajetë

Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të dielë në plazhin e Sektorit Rinia në Durrës, ku një pushues humbi jetën në det.

Në mungesë të vrojtuesit të plazhit, kanë qenë pushues të tjerë që kanë tentuar ta ndihmojnë, por pa rezultat.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është një burrë në moshë të re, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij.

Nuk dihet nëse shkaku i vdekjes është mbytja apo një atak kardiak i papritur, teksa ai ndodhej në det.

Asnjë nga pushuesit nuk e ka njohur në momentet e para viktimën, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tij.

Efektivët e policisë, që mbërritën në vendngjarje, po punojnë për identifikimin e viktimës, pasi trupi i pajetë u nxor nga uji nga vetë pushuesit.

Mungesa e vrojtuesve të plazhit mbetet problem edhe për këtë sezon turistik në shumë segmente të bregdetit.