Pamjet e para nga brenda jahtit luksoz “Bayesian”, në pronësi të miliarderit Mike Lych, që u mbyt gjatë një stuhie të fuqishme pranë Siçilisë në Gusht të vitit të kaluar, janë publikuar këtë javë nga mediat italiane.
Në këtë tragjedi humbën jetën shtatë persona, përfshirë miliarderin britanik të teknologjisë Mike Lynch dhe vajzën e tij adoleshente.Mjeti lundrues 56 metra i gjatë i jahtit u nxor nga fundi i detit pranë Porticellos javën e kaluar dhe u transportua në portin Termini Imerese, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve nga hetuesit, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të fundosjes.
Katër fotografi të publikuara nga transmetuesi shtetëror italian RAI tregojnë dëmet e mëdha që ka pësuar jahti dhe brendësia e tij dikur luksoze.
Një nga sallonet e pritjes është plot baltë dhe e shkatërruar. Një tjetër imazh tregon një derë të hapur që të çon poshtë kuvertës, ndërsa një pamje anësore e trupit të anijes dhe një prej helikave të saj shfaq baltën që është mbledhur gjatë 10 muajve nën ujë.
Jahti “Bayesian” ishte ankoruar pranë portit të Porticellos kur u përfshi nga një stuhi e dhunshme në orët e para të mëngjesit të 19 gushtit 2024. Mike Lynch ishte duke udhëtuar me familjen dhe miqtë për të festuar pafajësinë në një proces gjyqësor të gjatë mbi shitjen e kompanisë së tij të teknologjisë, “Autonomy”, tek Heëlett-Packard në vitin 2011.
Në mesin e viktimave ishin Lynch dhe vajza e tij 18-vjeçare, Hannah; avokati Chris Morvillo dhe bashkëshortja e tij, Neda; bankieri Jonathan Bloomer dhe gruaja e tij, Judy; si dhe kuzhinieri i jahtit, Recaldo Thomas.
Nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe gjashtë të ftuar të tjerë arritën të shpëtohen.
Hetuesit shpresojnë që analizimi i jahtit të ofrojë të dhëna të rëndësishme për të kuptuar shkaqet e ngjarjes.
Një hetim do të shqyrtojë nëse ndonjë derë ka mbetur e pambyllur, apo nëse ndonjë sistem tjetër nuk ka funksionuar.
Sipas një raporti paraprak të publikuar muajin e kaluar nga Autoriteti Britanik i Hetimit të Aksidenteve Detare (MAIB), “Bayesian” ka qenë potencialisht i prekshëm nga erërat e forta kur punonte me motorët e tij.
Këto “dobësi” nuk ishin të dokumentuara në librin e stabilitetit në bord dhe as ekuipazhi, as pronari nuk ishin në dijeni të tyre.
Raporti përmend gjithashtu mundësinë që një “tornado ujor” të ketë goditur portin. Jahti “Bayesian” u fundos për disa sekonda.
Prokuroria italiane ka nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia. Kapiteni i anijes, James Cutfield nga Zelanda e Re, si dhe dy anëtarë britanikë të ekuipazhit, Tim Parker Eaton dhe Matthew Griffiths, janë vënë nën hetim.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar janë hapur procedurat hetimore për vdekjen e Mike dhe Hannah Lynch, si dhe të Jonathan dhe Judy Bloomer.
Operacioni kompleks i shpëtimit të jahtit u pezullua përkohësisht në maj, pas vdekjes tragjike të zhytësit holandez 39-vjeçar, Rob Cornelis Maria Huijben, gjatë punimeve nën ujë.