Rritja e temperaturave/ Në gatishmëri për zjarre të mundshme, shtohet kujdesi për këtë qytet

Sipas përgjegjësit të sektorit të mbrojtjes civile, pranë prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, pas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, nga të gjitha strukturat vendore është kërkuar të rrisin burimet njerëzore, kapacitetet teknike e logjistike për të përballuar çdo vatër zjarri të mundshme.

Qarku i Fierit në ditët në vijim kur temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë është klasifikuar me risk të lartë për zjarre. Ymeraj ka pohuar gjithashtu se për këtë 6-mujor janë regjistruar 48 raste zjarresh, numër pothuajse i barabartë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, teksa ka theksuar se bashkia e Lushnjes mbetet më e rrezikuara për shkak të djegies së tokës nga fermerët, të cilëve në jo pak raste situata u ka dalë jashtë kontrollit.

Përballë kësaj situate Ymeraj ka apeluar për të gjithë bujqit që të jenë të kujdesshëm, pasi dëmet mund të jenë tepër të mëdha. Ymeraj ka apeluar gjithashtu për të gjithë qytetarët që të njoftojnë menjëherë shërbimin zjarrfikës në numrin 128. në rast se pikasin një vatër zjarri.