Temperaturat 42 gradë, paralajmërim për vapën në gjithë Europën

Autoritetet në të gjithë Evropën janë në gatishmëri ndërsa vala e parë e të nxehtit e verës i çon temperaturat deri në 42 gradë Celsius, pasi kontinenti që po ngrohet më shpejt vazhdon të vuajë efektet e emergjencës klimatike.

Zyra shtetërore meteorologjike e Spanjës, Aemet, lëshoi ​​një paralajmërim të veçantë për nxehtësinë të premten, duke thënë se temperaturat mund të arrijnë 42 gradë Celsius në disa zona jugore të vendit gjatë ditëve në vijim

Ministria e shëndetësisë e Madridit i paralajmëroi gjithashtu njerëzit të tregojnë kujdes shtesë gjatë vapës, duke u kujtuar atyre të qëndrojnë larg diellit, të qëndrojnë të hidratuar dhe t’u kushtojnë vëmendje të madhe atyre që janë të moshuar, shtatzëna ose që kanë probleme kronike shëndetësore.

Dy të tretat e Portugalisë do të jenë në gatishmëri të lartë të dielën për vapë ekstreme dhe zjarre në pyje, pasi temperaturat priten të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në Lisbonë.

Ndërsa temperaturat në Marsejë i afrohen 40 gradë Celsius, autoritetet në qytetin e dytë më të madh të Francës kanë urdhëruar që pishinat publike të bëhen falas për të ndihmuar banorët të përballojnë vapën mesdhetare.

Me temperaturat maksimale që priten në Napoli dhe Palermo deri në 39 gradë Celsius, Siçilia ka urdhëruar ndalimin e punës në natyrë në orët më të nxehta të ditës, ashtu si edhe rajoni i Ligurias në Italinë veriore. Sindikatat e vendit po bëjnë fushatë për ta zgjeruar masën edhe në rajone të tjera.

Në Venecia, e cila ka pritur festimet luksoze tre-ditore të dasmës së themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe gruas së tij, Lauren Sánchez, të ftuarit, vizitorët dhe protestuesit po e ndiejnë nxehtësinë.

Ndërsa temperaturat në Greqi iu afruan 40 gradëve Celsius, një zjarr i madh shpërtheu në jug të Athinës të enjten, duke bërë që autoritetet të lëshojnë urdhra evakuimi dhe të mbyllin pjesë të rrugës bregdetare që lidh kryeqytetin grek me Sounionin, vendndodhjen e Tempullit të lashtë të Poseidonit, një atraksion i madh turistik.

Vala e të nxehtit vjen pas një sërë rekordesh të thyera të nxehtësisë ekstreme, përfshirë marsin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Evropë, sipas monitoruesit të klimës Copernicus të BE-së. Si rezultat i ngrohjes së planetit, ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë uraganet, thatësirat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit, janë bërë më të shpeshta dhe intensive, paralajmërojnë shkencëtarët./tch