Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Izraeli ka rënë dakord me “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump u shpreh: “Gjatë marrëveshjeje të propozuar, ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, por ai nuk dha detaje se cilat ishin kushtet.
“Katari dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e paqes, do ta paraqesin këtë propozim përfundimtar. Shpresoj… që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të përmirësohet – DO TË PËRKËQENOHET VETËM”, shkroi Trump.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, the se Izraeli është “absolutisht” i gatshëm për një armëpushim, por nuk ishte ende e qartë nëse Hamasi do të pranojë kushtet e propozuara.
Njoftimi i Trump vjen përpara një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të planifikuar për javën e ardhshme, në të cilin presidenti amerikan ka thënë se do të jetë “shumë i vendosur”.
Presidenti amerikan tha të martën se besonte që Netanyahu donte t’i jepte fund armiqësive në Gaza.
“Ai dëshiron. Mund t’ju them se ai dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën tjetër”, shtoi Trump.
Ndërkohë, Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, pritet të takohet në Uashington me të dërguarin amerikan në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidentin JD Vance.
Në një intervistë për BBC News, Danon tha se Hamasi po “luante ashpër”.
“Po ushtrojmë presion mbi Hamasin dhe nëse ata nuk ulen në tryezën e bisedimeve, e vetmja mundësi që do të kemi për të rikthyer pengjet është të ushtrojmë më shumë presion ushtarak”, tha Danon.