Një debat u zhvillua në parlament mes deputetit të PD, Flamur Noka, dhe kryetares së parlamentit Elisa Spiropali. Noka akuzoi qeverinë për shtypjen e opozitës dhe cënimin e lirisë së fjalës në këtë legjislaturë. Ai i tha Spiropalit në një moment “Mamicë”.
Spiropali iu përgjigj duke i kërkuar Nokës të tregojë respekt dhe paralajmëroi heqjen e së drejtës së fjalës.
Flamur Noka: Në parlament vlon histeria moniste kundër opozitës. Sulltan Surreli ka pasur strategji që të emërojë opozitën që ai ka dëshiruar. Opozita trajtohet si armike. Po mbyllet legjislatura më e zezë në 35 vite pluralizëm. Sulltani mendon, ai shkel. Turp dhe faqja e zezë për këtë parlament, sepse kurrë nuk mund të imagjinohej që parlamenti të kthehej në një vend, ku liria e fjalës tentohet që të asgjësohet. Asgjësimin e fjalës së lirë e ka bërë Lindita, edhe Mamica e parlamentit…
Elisa Spiropali: Kujdes me fjalët, po turpëroni parlamentin. Fol siç është për të folur, sepse do iu heq të drejtën e fjalës.
Flamur Noka: Ky parlament ka noterizuar çdo gjë të qeverisë dhe të Sulltanit të Surrelit. Vota e lirë është asgjësuar.