Adriatik BALLA
Dje ishte një ditë zie për futbollin, pasi një ngarje e rëndë në aksident i mori jetën futbollistit të Portugalisë, Diogo Jota. Ky ishte më të vërtetë një lajm tragjik që goditi botën e futbollit. Jota, sulmuesi i Liverpulit, humbi jetën në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti rrugor në provincën spanjolle të Zamorës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Aksidenti ndodhi në kilometrin 65 të autostradës A-52, në zonën e Sanabria-s. Automjeti në të cilin udhëtonte Jota, së bashku me vëllain e tij Andre, gjithashtu futbollist profesionist 26-vjeçar, doli nga rruga dhe përfundoi në flakë. Dëshmitarët që telefonuan numrin e urgjencës 112 raportuan se makina u përfshi plotësisht nga zjarri, i cili më pas përfshiu edhe bimësinë përreth, duke e bërë situatën edhe më dramatike.
Diogo Jota iu bashkua Liverpulit në vitin 2020 nga Ulverhampton për një shumë prej 44.7 mln eurosh. Që nga ajo kohë, ai regjistroi 182 paraqitje, duke shënuar 65 gola dhe dhënë 26 asiste. Me Liverpulin, ai fitoi Premier League në sezonin 2024-25, si dhe FA Cup dhe League Cup në sezonin 2021-22. Më herët, ai kishte luajtur edhe për Atletico Madrid, Porto dhe Ëolves, duke u kthyer në një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë. Familja, shokët e skuadrës dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi për këtë humbje të parakohshme dhe të dhimbshme. Klubet ku ka luajtur pritet të organizojnë homazhe në nder të tij në ditët në vijim. Ndërkohë, “ylli” i futbollit botëror, Kristiano Ronaldo, ka reaguar me një mesazh emocional pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës dhe vëllait të tij Andre, duke shprehur tronditjen e tij të thellë dhe solidaritetin me familjen e sulmuesit portugez.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ronaldo shkroi: “Nuk ka kuptim. Sapo ishim bashkë në Kombëtare, sapo ishe martuar. Familjes tënde, bashkëshortes dhe fëmijëve të tu, i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta dhe u uroj të kenë gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh me ta. Pushoni në paqe, Diogo dhe André. Të gjithëve do të na mungoni”, shkruan Ronaldo. Lajmi bëhet edhe më i dhimbshëm kur kujtojmë se vetëm një javë më parë, më 22 qershor 2025, Diogo Jota ishte martuar me partneren e tij Rute Kardoso, me të cilën kishte ndërtuar një jetë familjare të qëndrueshme. Çifti ishte prindër të tre fëmijëve, dhe së fundmi kishin shpërndarë foto të dasmës së tyre në rrjetet sociale, ku shfaqeshin të lumtur në altar, të rrethuar nga fëmijët e tyre. Në mbishkrimin e postimit në Instagram, ata shkruanin: “22 qershor 2025. Po për gjithë jetën.” Udhëtimi me makinë e më pas me target, duke evituar aeroplanin, i ishte këshilluar nga mjeku i Liverpulit.