Pushuesit ikin nga plazhi, 15 kilometra trafik në Lezhë

Edhe këtë fundjavë të parë të korrikut, rrugët hyrëse dhe dalëse nga plazhet e Shëngjinit dhe Tales janë përballur me trafik të rënduar. Në këtë orar, shumë prej vizitorëve dhe pushuesve kthehen për në banesat e tyre. Siç raporton gazetari Martin Marku, rëndesa e trafikut vihet re që prej orës 17:00 deri në 20:00, ndërsa radha shpesh herë arrin mbi 10-15 km.

Fluksi i lartë i pushuesve drejt plazheve të Lezhës sjell pothuajse çdo ditë trafik dhe radhë të gjata automjetesh. Segmentet problematike mbeten: Rana e Hedhun-Shëngjin, Shëngjin-Lezhë, Lezhë-Fushë-Milot dhe Tale-autostradë. Ky fenomen është i përvitshëm, ku pushuesit që zgjedhin plazhet e veriut mbesin në trafik për shkak të rrugëve të ngushta, të cilat nuk përballojnë dot fluksin e lartë.

Segmenti Balldren–Milot rezultoi ndër më problematikët, ku drejtuesit e mjeteve u detyruan të presin për orë të tëra në trafik, shpesh për distanca fare të shkurtra. Shkaku kryesor mbetet fluksi i lartë i automjeteve dhe mungesa e sinjalistikës për menaxhimin e qarkullimit në pikat kritike.

Autoritetet rrugore këshillojnë qytetarët të shmangin oraret kulmore të lëvizjes dhe të planifikojnë kthimin më herët ose më vonë, për të evituar trafikun e rënduar./