Mister me trupin e dekompozuar në Kolonjë! Ja për çfarë dyshohet

Detaje të reja dalin lidhur lidhur me kufomën e dekompozuar të gjetur ditën e sotme në Kolonjë.

Sipas informacioneve më të fundit, mësohet se trupi i viktimës do të dërgohet për ekspertizën mjeko ligjore në Tiranë.

Kjo për shkak se duhet të merren mostra për ADN në mënyrë që të zbulohet identiteti i viktimës, ndërsa do të bëhet edhe ekspertiza antropologjike për të përcaktuar kohën e vdekjes, pasi për shkak të temperaturave të larta mund të ketë rezultuar edhe vdekje më e shpejtë se 6 muaj që dyshohej fillimisht.

Është e konfirmuar nga policia që kufoma nuk ka dëmtime të jashtme, çka bën që të hidhet poshtë pista e ndonjë krimi.

Paraprakisht dyshohet që mund të ketë qenë vdekje natyrale. Një tjetër fakt që vlen të përmendet, është ai që deri më tani nuk është interesuar askush për ndonjë të afërm apo familjar të humbur.

Lidhur me konstatimin e kufomës, bëhet me dije se ka qenë një banor i zonës, i cili korrte grurin me autokombanjë dhe ka parë kufomën, duke njoftuar menjëherë policinë.

Pas ekspertizës mjeko ligjore në Tiranë do të zbardhen më tepër detaje lidhur me identifikimin e viktimës dhe shkaqet e vdekjes.