Flakët “shkrumbojnë” ullinjtë dhe vreshtat në Belsh! Rrezikohen dhe banesat

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe vreshtari në Fierzë të Belshit.

Mësohet se flakët kanë përfshirë rreth 8 ha sipërfaqe, teksa janë rrezikuar seriozisht edhe disa banesa. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse është arritur të vihet nën kontroll pas më shumë se 3 orësh përpjekjesh të vazhdueshme. Zjarri i shfaqur në Fierzë të Belshit u favorizua edhe nga era dhe u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të tjera në pemtari, vreshta, shkurre dhe lloje të ndryshme bimësie.

Ndërkohë, Policia e Qarkut ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit duke verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast aksidental apo të qëllimshëm. Autoritetet lokale dhe emergjencat civile u bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe bashkëpunim në parandalimin e situatave të tilla, të cilat rrezikojnë sigurinë publike dhe mjedisin

Vetëm gjatë kësaj jave në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan janë evidentuar 21 vatra zjarri, një shifër kjo mjaft shqetësuese për autoritetet lokale.