Gjykata e Fierit dha 8 vite burg për vrasësin e të moshuarit, revoltohet Ajdine Rustemi: Turp! Kam frikë për jetën e fëmijëve të mi

Dy ditë më parë, Gjykata e Fierit ka dënuar me 8 vite burg shtetasin Ilir Nukaj, i cili dhunoi brutalisht një çift të moshuarish në dyqanin e tyre, ku 80-vjeçari Namik Rustemi nuk arriti t’i mbijetonte dot plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Teksa kanë kaluar 9 muaj nga dita e ngjarjes së rëndë, mes lotësh 78-vjeçarja Ajdine Rustemi tregon se si ilir Nukaj pasi kërkoi birra në dyqanin e tyre ushqimor në Povelçë dhe iu refuzua nga 80-vjeçari, ushtroi dhunë të ashpër fizike ndaj dy të moshuarve.

Ndërkohë pas vendimit të Gjykatës dy ditë më parë, familjarët e viktimës shprehen të tronditur dhe e konsiderojnë këtë vendim një padrejtësi të rëndë ndaj tyre. Nënë Ajdineja tregon se menjëherë pas vendimit, mbesa e saj në gjëndje të shokuar u përplas me derën kryesore të gjykatës duke u gjakosur në njërin krah.

“Vetëm 8 vite burg për vrasësin e të ndjerit bashkëshortit tim? Kjo është tallje e drejtësisë me fatkeqësinë tonë”, tha mes të tjerash ajo.