Trump shpall tarifat e reja prej 35% për importet nga Kanada dhe partnerët e tjerë tregtarë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se SHBA do të vendosin një tarifë prej 35% për importet nga Kanada që nga 1 gushti dhe se ka në plan të vendosë tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve të tjerë tregtarë.

Në një letër që ka publikuar në platformën sociale Truth Social, Trump i drejtohet Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, duke deklaruar se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe mund të rriten nëse Kanadaja vendos masa hakmarrëse.

“Pas vendosjes së tarifave nga Kanadaja, që nuk ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, ne do të aplikojmë një tarifë prej 35% për produktet kanadeze që dërgohen në SHBA, pa marrë parasysh tarifat sektoriale”, shkruan Trump në letrën e tij.

Ai gjithashtu thekson se tarifat mund të rriten ose ulen në varësi të marrëdhënieve të SHBA-së me Kanadën. NBC News ka raportuar gjithashtu se Trump u shpreh në një intervistë me prezantuesen e emisionit “Meet the Press”, Kristen Welker, se partnerët e tjerë tregtarë të SHBA që nuk kanë marrë ende letra tregtare ose nuk kanë arritur marrëveshje-korniza do të mbajnë një tarifë të përgjithshme.

“Thjesht do të themi se të gjitha shtetet e tjera do të paguajnë, qoftë 20% ose 15%. Do ta rregullojmë tani”, tha Trump për NBC News.

Siç ka bërë edhe më parë në letra të tjera të dërguara gjatë javës, Presidenti amerikan theksoi se këto tarifa do të shtohen në ato ekzistuese për disa sektorë, përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet, që janë aktualisht me një tarifë prej 25%.

Këto produkte përbëjnë disa nga eksportet kryesore të Kanadasë drejt SHBA, që është partneri më i madh tregtar i Kanadasë.