Të premten e 11 korrikut, speleologjia shqiptare pati një sukses të rëndësishëm me realizimin e një zhytjeje profesionale dhe eksplorimi nënujor në një prej shpellave të vendit.
Për herë të parë, një skuadër tërësisht shqiptare realizoi zhytjen në liqenin e brendshëm të shpellës “Kusia e Nue Gjonit”, në fshatin Kurbnesh, duke zbuluar lidhjen midis dy liqeneve si dhe duke arritur një thellësi deri në 11 metra.
“Ekspedita jonë në shpellën ‘Kusia e Nue Gjonit’, në fshatin Kurbnesh, shënoi një arritje të veçantë: për herë të parë, u krye një zhytje profesionale në liqenin e brendshëm të shpellës, duke zbuluar lidhjen midis dy liqeneve dhe një thellësi deri në 11 metra – një fillim premtues për eksplorime edhe më të thella në të ardhmen”, thuhet në një njoftim në rrjetet sociale të Shoqatës Speleologjike Shqiptare.
Ekspedita, e udhëhequr nga Roland Doja dhe Alket Camaj, përbëhej nga një ekip speleologësh, zhytësish dhe entuziastësh të apasionuar për kërkimin dhe eksplorimin e mjediseve natyrore.
Ata realizuan një studim të detajuar që nxjerr në pah potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj shpelle, jo vetëm si një vend i rëndësishëm për speleologji, por edhe si një hapësirë me vlera shkencore të mëdha për studimin e mjedisit nënujor dhe strukturave gjeologjike.
“Kjo ekspeditë nuk është thjesht një arritje për shoqatën tonë – është një hap gjigant për eksplorimin shkencor në Shqipëri, një shembull frymëzues për brezat e rinj dhe një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj natyrës dhe shkencës“, thuhet në njoftimin e shoqatës, e cila mbyllet me falenderime për të gjithë pjesëmarrësit në këtë eksplorim, veçanërisht për aspirantët e rinj.