“Motra shiti gjakun, sakrifikoi gjithçka”/ Aksioni në Theth, banori mes lotëve: Rama na tha ndërtoni

Banorët e Thethit po përballen me prishjen e banesave të tyre nga autoritetet shtetërore, me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

Edhe këtë të shtunë, përplasjet mes banorëve dhe forcave të policisë janë bërë të dhunshme. Të vendosur për të mbrojtur shtëpitë e ndërtuara me mund, banorët kanë qëndruar në terren përballë fadromave, ndërsa përkrah tyre janë rreshtuar edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

Por mes gjithë dhunës, zhurmës dhe lotëve, një moment ka prekur thellë zemrat e të gjithëve. Një banor me aftësi të kufizuara me zërin që i dridhej, tregoi para kamerës historinë rrënqethëse.

Mes lotësh, pranë një përkujtimoreje kushtuar motrës së tij të ndjerë, ai rrëfeu se ajo kishte sakrifikuar çdo gjë për të ndërtuar një strehë të vogël për vëllain e saj dhe për veten. “Na tha vetë Edi Rama ta ndërtojmë… dhe sot vetë ai po na e prish. Motra ime nuk jeton më, sakrifikoi gjithçka , shiti gjakun e vet për këtë”, tha ai i përlotur.

Fjalët e tij ishin një thirrje e heshtur, një britmë dhimbjeje në mes të maleve të heshtura të Thethit, që sot përballen me rrënimin jo vetëm të shtëpive, por edhe të dinjitetit të njerëzve që kanë dhënë gjithçka për një copë jetë në vendin e tyre.