Shembjet në Theth, sipërmarrësi bën deklaratën e fortë: S’e lëshojmë tokën pa gjak! Edi Rama s’mund të më shkelë djersën e ballit

Banorët e Thethit janë përplasur sërish sot me IKMT dhe punonjësit e policisë të cilët kanë ndërhyrë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Një nga sipërmarrësit e kësaj zone i cili është prekur nga shembja e ndërtimeve, ka deklaruar për Euronews Albania se çdo gjë e kishte ndërtuar me mund dhe me djersë ndërsa ka theksuar se kanë pësuar humbje të mëdha pasi turistët që kishin prenotuar në bujtinat e tyre, nuk kanë ku të akomodohen.

Sipërmarrësi është shprehur se toka është e Thethit dhe pa gjak nuk e lëshojnë. Ai ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se i kanë lënë banorët e Thethit të ndërtojnë të lirshëm me qëllim që t’ju marrin votat.

“Ka pasur turistë pa masë, kanë folur edhe për mediat dhe janë ndjerë të frikësuar. Qëllimi i shtetit mafioz është të trembë rininë shqiptare dhe të largohen ashtu siç janë larguar në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk i lëshojmë trojet tona, nuk i kanë lëshuar as të parët tanë.

Edhe biznes nuk do zhvillojë kush këtu. Edi Rama ka ndez një zjarr këtu. Ai të rrijë si kryeministër në punë të vet. Ideja se po shet Thethin , mos ta besojë.

Bujtinën e kam bërë me djersën time dhe e ka prishur Edi Rama. Do ta rindërtoj prap dhe s’do ta lëshojmë. Do largojmë edhe ata që nuk janë banorë të Thethit. Të tjerët vetëm do vinë për rezervim javor. Toka është e Thethit, nuk e lëshojmë pa gjak.

Këto bujtina i kemi ndërtuar që në vitin 1997. Nga ana tjetër edhe bashkia Shkodër i ka lënë lirshëm njerëzit që të ndërtojnë, dhe banorët janë nxituar. Kjo është bërë me qëllim t’u marrin qytetarëve votat e pas tyre, t’ua shembin bizneset.

Ne s’kemi vrarë askënd. As kohë nuk na kanë lënë, vetëm një orë dhe me fadromë nga mbrapa.”-tha sipërmarrësi në Theth.