Gazetarja Klodiana Lala ka rrëfyer për herë të parë bisedën e saj me fëmijët e Jan Prengës, të cilët shpresonin që një ditë babai i tyre të kthehej. E ftuar në një emision televiziv, Lala mes lotësh, tha se ka vizituar shpesh familjen e Prengës dhe ka takuar vajzën dhe djalin e tij, që shikonin shpesh nga dera me shpresën për tu takuar me babanë e tyre të zhdukur.
Lala përshkroi situatën e vështirë dhe thjeshtësinë e jetesës së familjes, duke e cilësuar tragjedinë si tepër të rëndë. Lala shtoi se ngjarja e Jan Prengës lidhet me veprimet e vëllait të tij dhe theksoi rëndësinë e kthimit të trupit të tij për t’i dhënë familjes një mundësi për të bërë varrimin. Gazetarja apeloi për drejtësi dhe kthimin e trupit, për një lehtësim emocional për familjen.
“Ky mund të jetë rast i rrallë, kur 2 prokurorë të posaçëm përplasen me njëri-tjetrin për pretencën. Shteti shqiptar duhet ta ndjekë me vëmendje çështjen e zhdukjes së Jan Prengës, të kthejë trupin e tij pranë familjes, që ai ta ketë një varr ku të prehet. Kam shkuar shpesh në familjen e Jan Prengës përpara se gruaja dhe fëmijët të iknin me shpresën për të fituar azil politik në një nga vendet e BE-së, për të kuptuar sesi jeta e tyre u shkatërrua. Ata kanë shpresën e madhe se ndoshta një ditë, trupi i pajetë i Jani Prengës do të kthehet në familje. Vajza është 22 vjeçe, më tha se dëshiron të studiojë kriminalistikë dhe djali është në moshë të mitur, që shikonin shpesh nga dera, me shpresën që babai i tyre të kthehej. Disa kriminelë të pashpirt e rrëmbyen atë, e vranë. Disa nga ta janë para drejtësisë, është Dritan Rexhepi, Gentjan Doçi, Altin Hajri. Kam publikuar pamjet e trupit të pajetë të Jan Prengës në kompleksin e Altin Hajrit, që të tregoja se ka pasur trup të pajetë, sepse grupi pretendonte pafajësinë, duke thënë se nuk ka trup të pajetë. I kam kërkuar falje familjes për pamjet.
Festim Bezhdili u dënua me burgim të përjetshëm, u kthye vendimi i Apelit për rigjykim dhe në rigjykim kishte prova të reja si bisedat në Sky Ecc. Prokurorja thotë se Festim Bezhdili është anëtar i grupit kriminal se ka ndihmuar në krim të rëndë në mënyrë aktive, ndërsa prokurori tjetër Behar Dibra, ka thënë se duhet të rikualifikohet vepra penale dhe të dënohet me 20 vite burg. Gjykata tashmë duhet të vendosë drejtësi për ngjarjen. Nëse kthehet trupi i pajetë i Jan Prengës në familje do ishte lehtësim dhe për mua. Kur isha në shtëpinë e Jan Prengës, pashë që aty dhe kuzhinë nuk kishte. Djali i Janit, kur e përqafova, nuk më shikonte në sy, më tha “dua babin”. Ata ishin një familje e thjeshtë. Jan Prenga e pësoi vetëm pse vëllai i tij kishte marrë një sasi kokaine në Britaninë e Madhe. Nëse vëllai i tij e ka bërë këtë, të mbajë përgjegjësi, por s’mund të merret një njeri në atë mënyrë kriminale, është tepër e rëndë,” tha Lala.