Alarm në aeroportin e Southend, rrëzohet një avion pak minuta pas ngritjes nga pista (Video)

Një incident i rëndë ajror ka ndodhur pasditen e së dielës (13 korrik) në aeroportin e Southend, në Essex të Anglisë, ku një avion i vogël u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga pista.

Policia lokale njoftoi se ndodhet në vendngjarje dhe po bashkëpunon me të gjitha shërbimet emergjente. “Operacionet do të zgjasin për disa orë. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonën gjatë ndërhyrjes,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas gazetës Telegraph, bëhet fjalë për një avion të vogël me dy motorë, i tipit Beechcraft King Air B200, që kishte si destinacion qytetin Lelystad në Holandë.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë re të dendura tymi të zi mbi aeroport, ndërsa një dëshmitar okular tha për mediat lokale se “pa një sferë të madhe flakësh” në momentin e përplasjes.

Për momentin, nuk ka informacion zyrtar mbi numrin e personave që ndodheshin në bord dhe as për shkaqet e aksidentit. Hetimet janë në zhvillim të plotë.