Nis ‘lufta’ tregtare! BE-ja dhe Meksika kundërshtojnë tarifat 30% të propozuara nga Trump

Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë shprehur zhgënjimin e tyre pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore prej 30% për importet nga këto dy partnerë tregtarë, duke filluar nga 1 gushti.

Meksika e quajti këtë një “marrëveshje të padrejtë” dhe theksoi se sovraniteti i saj “nuk negociohet kurrë”, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi “kundërmasa proporcionale” nëse do të jetë e nevojshme. Të dyja palët thanë se janë të gatshme të vazhdojnë negociatat me SHBA-në.

Trump paralajmëroi se nëse Meksika apo BE-ja hakmerren duke vendosur tarifa ndaj mallrave amerikane, ai do të rrisë më tej taksat doganore përtej nivelit 30%.

Në një intervistë të regjistruar për Fox News, e transmetuar të shtunën në mbrëmje, Trump tha se disa vende janë “shumë të zemëruara”, por këmbënguli se tarifat po sjellin “qindra miliarda dollarë” për ekonominë amerikane.

Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja për mallrat nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, duke filluar nga muaji tjetër. Von der Leyen tha se BE-ja mbetet e përkushtuar për të arritur një marrëveshje para 1 gushtit. “Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat evropiane,” shtoi ajo.

Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi veprimin e Trump si “tërësisht të papranueshëm”, ndërsa kërkoi që BE-ja të përshpejtojë përgatitjen për kundërmasa. Bernd Lange, kreu i komitetit të tregtisë në Parlamentin Evropian, e përshkroi lëvizjen si “shuplakë për negociatat” dhe tha se kundërmasat duhet të aplikohen që të hënën. Nga ana tjetër, disa liderë, si kryeministrja italiane Giorgia Meloni, u shprehën optimistë për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë. Kryeministri holandez Dick Schoof tha se BE-ja duhet të mbetet e bashkuar në arritjen e një marrëveshjeje “të favorshme për të dyja palët”.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave paralajmëroi se tarifat mund të rrisin ndjeshëm kostot për prodhuesit dhe furnitorët gjermanë, duke e quajtur situatën “të dëmshme për industrinë”.
Në letrën për presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, Trump akuzoi vendin për mungesë përpjekjesh në ndalimin e trafikut të drogës në Amerikën e Veriut. “Meksika ka ndihmuar, POR nuk ka bërë sa duhet,” shkroi ai.

Presidentja Sheinbaum, nga ana e saj, u shpreh optimiste për një marrëveshje: “Besojmë se do të arrijmë një marrëveshje më të mirë me SHBA-në. Jemi të qartë për atë që mund të negociojmë dhe për atë që nuk mundemi sovraniteti është i panegociueshëm.”

Sipas të dhënave të fundit, administrata Trump ka propozuar kushte tarifore për 24 vende dhe për të gjithë Bashkimin Evropian me 27 anëtarët e tij. Këshilltari tregtar i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, ka vendosur objektivin për të arritur “90 marrëveshje në 90 ditë”, por deri tani janë shpallur vetëm dy marrëveshje paraprake – me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin.