Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar sot lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.
Përmes një video-postimi në rrjetet sociale, Shehaj hedh dyshime se kryeministri Edi Rama ka një plan për Thethin.
Shehaj akuzon Ramën se planin prër Thethin do ta zbatojë për veten dhe për miqtë e vet.
“Thethi, i tëri, mund të vlejë 200, 500 apo edhe mbi 1 miliard euro. Por problemi i madh është se pronarët e tokave në Theth, banorët e zonës, janë në thelb pronarët e ligjshëm, por nuk kanë dokumentet. Edhe sikur t’i kishin, s’mund të ndërtojnë dot, sepse kanë nevojë për leje, dhe leja jepet vetëm nga Edi Rama.
Një pronë merr vlerë vetëm kur ka leje ndërtimi. Nëse Edi Rama nuk e jep lejen, atëherë pronarët nuk mund ta gëzojnë pronën e tyre.
E vërteta është që Edi Rama ka një plan për Thethin, ashtu siç kishte për jugun. Por problemi i vërtetë është se në atë plan nuk ka vend për pronarët e tokës në Theth.
Kjo është arsyeja pse sot ai po i shemb ndërtimet e tyre, po i zhvesh nga prona dhe po i përjashton nga çdo zhvillim. Sepse Rama ka një plan. Dhe atë plan do ta zbatojë për veten dhe për miqtë e vet, siç e bëri me “pikat e vogla” të bregdetit shqiptar, që sot nuk i gëzojnë më pronarët e tokës, por miqtë e ngushtë të Edi Ramës”,-shprehet Shehaj.