Simptoma e fshehur që paralajmëron rrezikun e një infarkti në zemër apo goditjeje në tru

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Journal of the American Heart Association, akumulimi i kalciumit në arterie, veçanërisht në aortën abdominale, mund të shërbejë si tregues i hershëm për rrezikun e një infarkti në zemër apo goditjeje në tru.

Zbulimi vjen nga një ekip ndërdisiplinor shkencëtarësh të udhëhequr nga studiues të Universitetit Edith Cowan në Australi.

Sipas analizës së të dhënave nga 52 studime të mëparshme, pacientët që paraqesin kalcifikim të aortës abdominale kanë rrezik dy deri katër herë më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Rreziku është edhe më i madh për ata që vuajnë edhe nga sëmundje kronike të veshkave.

Akumulimi i kalciumit dhe substancave të tjera, siç është kolesteroli, çon në formimin e pllakës aterosklerotike që ngushton enët e gjakut, duke kufizuar qarkullimin dhe rritur ndjeshëm rrezikun për ngjarje serioze si infarkti apo goditja në tru.

Faktorë si ushqyerja e keqe, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja dhe gjenetika lidhen gjithashtu me zhvillimin e kësaj gjendjeje.

“Shpesh, sëmundja e zemrës shfaqet pa paralajmërim. Shumë pacientë nuk i kushtojnë rëndësi sinjaleve të hershme si kalcifikimi i aortës apo i arterieve koronare,” shpjegon Dr. Josh Lewis, profesor i asociuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe Shkencave të Shëndetit në Universitetin Edith Cowan.

Sipas tij, kalcifikimi i aortës abdominale zbulohet shpesh rastësisht gjatë kontrolleve të tjera, si matjet e densitetit të kockave apo radiografitë.

Ky zbulim i rastësishëm mund të jetë kyç për ndërhyrje të hershme dhe për marrjen e masave parandaluese.